Kalo te përmbajtja

NLB Banka dhe FKGK zgjerojnë dhe përmirësojnë kushtet e Dritares së Rimëkëmbjes dhe Mundësive të Gjelbëra – GROW

NLB Banka në partneritet me Fondin Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) ka nënshkruar marrëveshjen e re për zgjerimin e skemës garantuese “Dritarja e Rimëkëmbjes dhe Mundësive të Gjelbëra – GROW”, duke ofruar kushte dukshëm më të favorshme për bizneset që investojnë në energji të ripërtëritshme dhe efikasitet energjetik.

Këto përmirësime synojnë të fuqizojnë investimet e NMVM-ve në teknologji të pastra dhe zgjidhje që mbrojnë mjedisin, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës.

Në kuadër të përpjekjeve për të mbështetur investimet në efiçiencë të  energjisë (EE) dhe energji të ripërtëritshme (RE), ndryshimet në dritare janë:

  • Rritja e përqindjes së garancisë nga 50% në 70%.
  • Rritja e vlerës maksimale të ekspozimit kreditor nga 5 milionë në 7 milionë euro.
  • Rritja e shumës maksimale të kredisë nga 1 milion në 3 milionë euro.
  • Rritja e maturitetit të kredisë nga 84 në 120 muaj.
  • Ulja e tarifave të garancisë, me qëllim nxitjen e performancës dhe lehtësimin e qasjes në financa për bizneset e fokusuara në sektorin e gjelbër.

Këto përmirësime në kuadër të dritares GROW, së bashku me bashkëpunimin e konsoliduar ndërmjet NLB Bankës dhe FKGK-së, do të ndihmojnë ndjeshëm qasjen në financa për investimet e NMVM-ve në pajisje që rrisin efikasitetin e energjisë dhe prodhimin e energjisë së ripërtëritshme. Kjo qasje synon të orientojë kapitalin drejt teknologjive të pastra dhe zgjidhjeve që mbrojnë mjedisin, duke kontribuar kështu në zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës.

 

Gem Maloku, Kryetar i Bordit Udhëheqës të Bankës theksoi: ““NLB Banka është e përkushtuar të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në Kosovë, duke u orientuar drejt investimeve që sjellin vlerë afatgjate për bizneset dhe mjedisin. Përmes zgjerimit të Dritares GROW dhe kushteve të reja më të favorshme, po u japim ndërmarrjeve mundësi më të mëdha për të investuar në efikasitet energjetik dhe prodhim të energjisë së ripërtëritshme. Ky partneritet i konsoliduar me FKGK-në është dëshmi e angazhimit tonë për të lehtësuar qasjen në financa, për të fuqizuar sektorin privat dhe për të kontribuar në transformimin e ekonomisë drejt një modeli më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm. NLB Banka do të vazhdojë të jetë një partner i besueshëm për bizneset që synojnë inovacionin dhe rritjen e përgjegjshme.”

 

Drejtori menaxhues i FKGK-së, z. Besnik Berisha, theksoi:

“Me këtë marrëveshje po e zgjerojmë dhe e thellojmë më tej bashkëpunimin tonë afatgjatë me NLB Bankën, si një nga partnerët kryesorë në lehtësimin e qasjes në financa për ndërmarrjet kosovare. Në këtë kuadër, po e fuqizojmë rolin e Dritares GROW si një motor të ekonomisë së gjelbër në Kosovë: përmes kushteve më të favorshme të garancisë, afateve më të gjata të shlyerjes dhe shumave më të larta të kredisë, po u krijojmë bizneseve hapësirë më të madhe për të investuar në energji të pastër, efikasitet energjetik dhe teknologji të qëndrueshme. Këto përmirësime e konsolidojnë FKGK-në si partner zhvillimor që jo vetëm lehtëson qasjen në financa, por edhe orienton kapitalin drejt projekteve që mbrojnë mjedisin dhe nxisin rritjen e qëndrueshme ekonomike, ndërsa në vijim do të zgjerojmë edhe më shumë ndikimin e Dritares GROW përmes marrëveshjeve me të gjitha bankat partnere.”

 

Që nga viti 2016, kur NLB Banka u bë institucion i regjistruar financiar në FKGK, ky partneritet ka mundësuar disbursime mbi 51 milionë euro kredi të mbështetura me garanci nga FKGK, duke dëshmuar rol të rëndësishëm në mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në vend. Kjo marrëveshje e sotme, bashkëpunimi mes dy institucioneve dëshmon vendosmërinë e dy institucioneve në angazhimin e lehtësimit të qasjes në financa.

Komunikata e fundit për shtyp

19.01.2026

NLB Banka dhe Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Prishtinës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Sot u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet NLB Bankës dhe Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, me qëllim të formalizimit dhe forcimit të partneritetit ndërmjet sektorit bankar dhe atij akademik, si dhe mbështetjes së zhvillim...

Lexo më shumë